Kjo lëndë, e cila vjen si përqasje e dy disiplinave, Stilistikës e Pragmatikës, të dyja në drejtim gjuhësor, e vështron gjuhën të lidhur me komunikimin, me nevojat shoqërore e individuale, me funksionimin gjatë përdorimit të saj real, praktik e të gjallë.
Stilistika, që zë dhe pjesën themelore të lëndës, studion nga pikëpamja e organizimit dytësor përdorimin e gjuhës dhe variacionin gjuhësor të shprehur në tekste ligjërimore. Ajo gjurmon se cilat janë veçoritë e mjeteve dhe ndërtimeve gjuhësore në këtë organizim, për të kryer sa më me efektshmëri komunikimin. Gjithashtu, dallon edhe kërkesat e tjera plotësuese, në përshtatje me qëllimet e ligjëruesit dhe me traditën shoqërore e kulturore. Kështu, përmes kësaj lënde synohet të njihen studentët me mjetet e mundësitë shprehëse të gjuhës sonë në të gjitha rrafshet gjuhësore, me sistemin e stileve dhe të teksteve të saj ligjërimore nga pikëpamja e organizimit gjuhësor dytësor, për të qenë pastaj të aftë të realizojnë një analizë të plotë gjuhësore - stilistike të një teksti të caktuar.
Në pjesën e dytë, atë të pragmatikës gjuhësore, do të shihet gjuha në lidhje me përdoruesit e saj: si përdoret ajo nga njerëzit realë për qëllimet e tyre dhe brenda caqeve të rrokjes së tyre. Ajo përqendrohet te përdoruesit e gjuhës dhe te kushtet e tyre të përdorimit të gjuhës, duke i parë këta të fundit të përcaktuara nga konteksti i shoqërisë.

Ky kurs leksionesh ka në qendër disa koncepte e klasa kryesore, duke nisur me foljen. Do të shtjellohet klasifikimi i foljeve sipas funksionit dhe kuptimi, duke krijuar një hapësirë për transivitetin tek foljet si nocion i rëndësishëm për këtë pjesë ligjërate. Studentët do të jenë të aftë nga pikëpamja teorike dhe praktike të identifikojnë dhe të diskutojnë teorikisht për kategoritë gramatikore të vetës, numrit, mënyrës e kohës. Nëpërmjet qasjeve teorike dhe analizave studentët do të zbulojnë dallimet: format të shtjelluara dhe forma të pashtjelluara. Gjatë seancave të leksioneve studentët do të jenë të aftë të identifikojnë pjesët e pandryshueshme të ligjëratës së bashku me tiparet bashkëshoqëruese, me një vëmendje sidomos tek grupe fjalësh ku vepron koversioni.