Lënda “Praktikum i gjuhës shqipe” ka si qëllim të mësojë studentët të shkruajnë saktë gjuhën standarde shqipe përmes parimeve e rregullave drejtshkrimore bazë, të vendosura nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur më 1972. Kjo gjuhë letrare e njësuar përdoret nga të gjithë ata që shkruajnë shqipen zyrtare. Shprehja e parë dhe më e dukshme e këtij njësimi është vendosja e normave të njëjta drejtshkrimore. Njësimi i drejtshkrimit pasqyron procesin e kristalizimit të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore të gjuhës letrare kombëtare në të gjitha hallkat e saj më të rëndësishme. Pas marrjes së njohurive, studentët duhet të kenë të qarta: parimet drejtshkrimore; drejtshkrimin e zanoreve; drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve; drejtshkrimin e disa tipa fjalësh me prejardhje të huaj dhe emrash të përveçëm të huaj; disa çështje gramatikore; shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes; përdorimin e shkronjave të mëdha; ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit; shkrimin e datave; përdorimin korrekt të shenjave të pikësimit dhe të shenjave tipografike.